15 Shtator, 2009

Ndihmë e përgjithshme për përdorues të rinj të Thunderbird-it

Postuar te 1 te 12:20 nga jshm

Përmes një shpjegimi përshkrues dhe përdorimit të kanalit #jshm te irc.freenode.net, do të përpiqemi të ndihmojmë përdoruesa rishtarë të Thunderbird-it, njërit prej klientëve më të mirë për postë elektronike (email), të instalojnë, formësojnë dhe të përdorin Thunderbird-in. Theksi do të vihet te formësimi i THB-së për ta bërë të aftë të dallojë mesazhet hedhurinë (spam) dhe formësimi i modeleve të ndryshme (template) që përdoren vazhdimisht në rutinën e përditshme.

Përgjigje pyetjes ” Cili është kitaristi më i mirë?”

Postuar te 1 te 12:16 nga jshm

Në përgjigje të pyetjes “Cili është kitaristi më i mirë?”

E kuptueshme që pyetja mund të bëhej për çfarëdo instrumenti. Kitara është nga ato instrumente për të cilat manipulimi me amplifikimet pa hesap, me decibelë që shtohen në përpjestim të drejtë me madhësinë e turmës dhe me kufizimet interpretuese të kitaristit, kanë bërë të harrohen mundësitë e shumta shprehëse të instrumentit, mundësi që lënë vend për shumë më tepër se masakrat akustike “heavy metal” apo “hard rock”. Këto mundësi, për fat të mirë, janë përdorur nga mjeshtra të vërtetë, për të paraqitur një tjetër botë të kitarës… Disa prej tyre mund t’i dëgjoni këtu, radhitur kuturu, pa ndonjë kriter vlerësimi. Ose klikoni këtu për të parë listën dhe për të zgjedhur vetë cilat prej pjesëve të dëgjoni.
Me tërë këta, e të tjerë, pyetja “Kush është kitaristi më i mirë?” më duket se nuk ka përgjigje.
Bëni komentet tuaja këtu dhe/ose te Youtube dhe na tregoni nëse lista ju njohu me muzikë të re!

Dëshironi të keni një të ngjashme, ta bëni publike diku, po nuk dini se si? Thjesht kërkon ndihmë dhe nuk do t’ju mungojë.i

Krijoni blogun apo një faqe internet tuajën.

Postuar te 1 te 12:08 nga jshm

Me ndihmën e platformës WordPress, do t’ju ndihmojmë të krijoni një blog tuajin, ose një faqe internet, subjektin e zgjidhni ju vetë. I përkthyer në Shqip, WordPress-i është tani më i thjeshtë për këdo në përdorim. Ju mjafton një email i juaj dhe mund të krijoni blogun apo faqen tuaj, qoftë kjo për historinë e krahinës suaj, tribut për një figurë publike që gëzon simpatinë tuaj, diskutim idesh apo projektesh që ju shqetësojnë, çfarëdo. Zgjidhni subjektin dhe nuk do t’ju mungojë ndihma jonë. Na shkruani ose bisedoni me te kanali #jshm në irc.freenode.net për ndihmë të hollësishme.

22 Gusht, 2009

Java e Shërbimit Mozilla – i vini aftësitë tuaja në shërbim të bashkësisë

Postuar te Pa kategori te 13:34 nga jshm

Spread Firefox Affiliate Button

Mozilla është një bashkësi globale, përkushtuar bërjes së Internetit më të mirë. Si bashkësi vullnetarësh, Mozilla ka një të kaluar të lavdërueshme në veprimtarinë e vet në këtë fushë. Krijuese e disa prej programeve më të mira dhe më të sukseshme me burim të hapur, si shfletuesi Firefox, klienti për email Thunderbird, suita për Internet SeaMonkey, bashkësia Mozilla, me mijërat e personave të përfshirë tashmë në përmirësimin e web-it, punon pandërprerë për përhapjen dhe vënien në jetë të ideve të transparencës, pjesëmarrjes, të qenët krijues, dhe kontrollit të përbashkët në fushën e Internetit.

Java e Shërbimit Mozilla organizohet për t’i dhënë një shtysë gjithë kësaj, edhe te përdoruesit e thjeshtë e në nevojë për pak ndihmë teknike. Mund të ndihmoni dhe të ndihmoheni edhe pa qenë programues, ka mjaft rrugë se si të mund të përfshihet gjithëkush.

Java e Shërbimit Mozilla do të jetë një fushatë që Mozilla do të organizojë gjatë 14-21 Shtatorit e që ka për qëllim të afrojë individë apo organizma të aftë për të ndihmuar me të tjerë të tillë në nevojë në fushën e Internetit. Fushata është menduar si një veprimtari njëjavore, gjatë së cilës individë të ndryshëm mund të dalin vullnetarë dhe, duke përdorur Web-in, të bëjnë diçka të re, për ta bërë bashkësinë e tyre më të mirë.
Shtysa për Javën e Shërbimit Mozilla vjen nga bindja se Internetin duhet të dijë ta përdorë cilido, të ketë mundësi të hyjë lehtë në të, dhe të gëzojë punim të kënaqshëm ndërkohë që gjendet online. Duke përdorur bujarinë dhe talentet e bashkësisë Mozilla për shkrim, skicim grafik, programim, zhvillim faqesh Interneti, dije të përgjithshme teknike dhe dije rreth Internetit, besojmë se mund ta bëjmë Web-in një vend më të mirë dhe më të dobishëm për këdo.

Java e Shërbimit Mozilla organizohet që ju të afroheni me bashkësinë tuaj, të takoheni me fqinjët tuaj, dhe të ndryshoni diçka në jetën e tyre. Synimi i Mozilla-s është të nxisë sa më shumë persona që të jetë e mundur të dhurojnë kohë dhe energji nga e tyrja gjatë Javës së Shërbimit Mozilla.  Po qe se dëshironi të punoni për të mirën e bashkësisë suaj vendore mos ngurroni. Cilido që përpiqet për këtë, ka përkrahjen tonë. Bashkësia Mozilla është e madhe dhe bujare, dhe me dëshirë të bëjë ç’është e mundur të ndihmojë. Në të ka plot persona të pakursyer, që duan vërtet të ndihmojnë. Por s’garantojmë dot që, kushdo që kërkon ndihmë, do të marrë të tillë, edhe pse kjo është vërtet dëshira jonë. Mund të garantojmë që do të bëjmë ç’të mundemi!

Akti juaj mund të jetë i madh ose i vockël, dhe ka plot rrugë për të gjetur një mundësi vullnetarizmi. Përdorimi i Internetit ua bën më të mirë jetën njerëzve, në gjëra të mëdha, por edhe në ato të vocklat. Nuk ka pse të dini të programoni apo të hartoni programe: mund t’u hyni në punë njerëzve përmes plot aftësish të tjera. Për shembull, mund t’i tregoni dikujt se si të përdorë Skype-en, se si të kryejë blerje online, se si të regjistrohet për një llogari poste webmail, ose se si të marrë email-e në celular. Tërë këto gjëra mund të duken të vogla, por mund të sjellin një ndryshim të madh në botën online të dikujt.

Gjeni persona të tjerë, që të bëheni tok e të ndihmoni njëri-tjetrin dhe të tjerët në projekte të ndryshme. Projektin tuaj mund ta postonit në një nga rrjetet tuaj të parapëlqyer për veprimtari shoqërore, mund të shkruani rreth tij në blogun tuaj apo te Twitter-i. Pasi t’u tregoni njerëzve se çfarë dëshironi të bëni, do të shihni se ka plot prej tyre që duan të ndihmojnë!
Ndihmoni të përhapet fjala për Javën e Shërbimit Mozilla, tregojuni prindërve tuaj, fqinjëve, kolegëve tuaj, kujtdo! Shtypni dhe përhapni afishe në Shqip për Javën e Shërbimit Mozilla:

në format A4
në format Letter
në format Tabloid

Përhapni fjalën duke postuar lajme, video ose pamje në blogun tuaj, te Twitter ose Identi.Ca, ose gjetiu, si edhe te site-e videosh a fotosh. Etiketojini postimet tuaja me “mozservice09″, që të gjenden lehtë.

Shtoni te site-i juaj, blogu apo profili juaj stemën ose simbolet tanë.

Vizitoni faqen tonë mbi shpalosjen e Javës së Shërbimit Mozilla dhe shihni mënyra të tjera për të përhapur lajmin rreth Javës.

Shembuj konkretë nga të frymëzoheni mund të gjeni te faqja jonë e shembujve.

Follow

Get every new post delivered to your Inbox.